OSBE-ja: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen plotësisht

01 tetor 2025 | 14:24

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e saj duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj.

Në reagimin e bërë publik, OSBE-ja ka theksuar se pavarësia e institucioneve gjyqësore është një gurthemel i shoqërisë demokratike.

“Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, synojnë të sfidojnë ose diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, është thënë në reagimin e OSBE-së.

Më tutje, OSBE-ja ka theksuar se përfaqësuesit politikë dhe institucionet kanë përgjegjësi për të respektuar autoritetin e gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

“Misioni u bën thirrje të gjithë akterëve politikë që të mbështesin konstituimin e Kuvendit në përputhje me kornizën ligjore dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me Kuvendin dhe me deputetët e tij, pasi ai të jetë konstituuar plotësisht”, është thënë në reagimin e OSBE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit nga radhët e…