
Osmani: Anëtarësimi në NATO, prioritet i politikës sonë të jashtme
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar dje presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, të cilin e ka falënderuar për nominimin e tij për Çmimin për ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’ si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që t’ia ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës.
“Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar – një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik. Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.