
Osmani: Askush s’mund ta njollosë luftën e UÇK-së dhe ta rishkruajë historinë (video)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke iu referuar dokumenteve të Serbisë të pranuara nga Gjykata Speciale në rastin e liderëve të UÇK-së në Hagë, ka thënë se askush nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës.
Osmani ka thënë se është shqetësuese pranimi i provave të prodhuara nga Serbia.
“Është dëshmuar historikisht se çdo provë që e pranon shteti i Serbisë, në veçanti kundër popullit shqiptar dhe kundër UÇK-së janë prova të falsifikuara, të cilat kanë vetëm një synim, pra që ta rishkruajnë historinë”.
“E kam thënë me qindra herë, po e përsërisë edhe sot. Nuk ka asnjë përpjekje e cila mund ta njollosë luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Ajo ka qenë një luftë për ta mbrojtur popullin e pambrojtur të Republikës sonë nga forcat gjenocidale të Millosheviqit”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie.