Osmani: BE duhet t’ia heqë masat Kosovës dhe t’i ndalë politikat akomoduese ndaj Serbisë

09 maj 2025 | 16:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje përsëri Bashkimit Evropian t’i heqë masat ndëshkuese të bllokut kundër Kosovës dhe t’i shqyrtojë “me seriozitet politikat destabilizuese” të Serbisë.

Në një shkrim në Facebook për Ditën e Evropës – e cila është festë zyrtare në Kosovë më 9 maj – Osmani tha se është e rëndësishme që pikërisht në këtë ditë të kërkohet “me një zë heqja e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Postimi i plotë i Osmanit:

Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë.

Për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi.

Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.

Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste.

🇽🇰🇪🇺

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Bardhyl Mahmuti gjatë vizitës në Tetovë, ka takuar bashkëveprimtarin…