
Osmani dhe homologu i saj hungarez diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Hungari
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se në takim me presidentin hungarez, Tamas Sulyok, kanë diskutuar thellimin e partneritetit në mes të dyja shteteve.
Osmani ka thënë se potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë-Hungari është i madh dhe sipas saj, Kosova mbetet e përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet dypalëshe.
“Në takim, i shpreha presidentit Sulyok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet tona”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
E para e shtetit e ka nisur të martën vizitën zyrtare në Hungari, ku është pritur me nderime ushtarake në Budapest.