
Osmani dhe Kurti sot vizitojnë Departamentin Amerikan të Shtetit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vizitë zyrtare, sot do ta vizitojnë Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë njoftim, për këtë vizitë aty, e ka dhënë presidentja Osmani-Sadriu në “Facebook”.
“Në Departamentin Amerikan të Shtetit do të kemi nderin të pritemi nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot në orën 16:30, sipas kohës lokale në Washington D.C.
Së bashku me kryeministrin Kurti në këtë takim do të fokusohemi në thellimin e partneritetit strategjik me ShBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Kosova është e bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Osmani-Sadriu. /Epoka e re/