
Osmani: Enver Petrovci mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen e aktorit Enver Petrovci, i cili ka vdekur të hënën në moshën 71-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë”, thotë Osmani.
Me talentin dhe veprën e tij, Osmani ka thënë se Petrovci “i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet”.
“Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin!”, ka thënë Osmani.