Osmani falënderon qytetarët e Suharekës për mikpritjen: Kosova u takon qytetarëve të saj
Kandidatja për presidente nga lista e LDK-së, Vjosa Osmani, në kuadër të fushatës, ka vizituar Suharekën, ku është pritur nga qytetarë të shumtë.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe ka vlerësuar rolin historik të kësaj zone në zhvillimet politike të vendit.
“Faleminderit nga zemra, Suharekë. Në qytetin e Ukë Bytyqit, simbol i përkushtimit dhe i shërbimit ndaj vendit, rikujtuam trashëgiminë e atyre që e ndërtuan LDK-në në kohët më të vështira dhe që besuan se shteti i Kosovës duhet t’u përkasë qytetarëve të tij”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook të shoqëruar me disa fotografi.
Ajo ka theksuar se Suhareka, me njerëzit e saj punëtorë dhe me frymën e sipërmarrjes familjare, përfaqëson vlera të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Sipas saj, e ardhmja ndërtohet përmes bashkëpunimit, dijes dhe besimit në institucione.
“Suhareka, me njerëzit e saj punëtorë, me frymën e sipërmarrjes dhe familjes, e kupton më mirë se kushdo se e ardhmja ndërtohet me bashkëpunim, dije, e besim në shtet”, ka shkruar ajo.



