Osmani falënderon TİKA-n për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi

12 nëntor 2025 | 12:10

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot.

Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.

Presidentja Osmani e përgëzoi Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit, presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

Në përmbyllje, presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, ka vlerësuar si objektive dëshminë që ish-ambasadori…