Osmani i jep mbështetje Dakës për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut

25 nëntor 2020 | 12:44

Me qëllim të bashkërendimit për zgjedhjet në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka mbajtur një takim virtual me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Në këtë takim, Osmani ka ofruar përkrahjen e saj të plotë, në mënyrë që zgjedhjet në këto dy komuna të organizohen duke mbrojtur shëndetin e qytetarëve si dhe të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, raporton “Epoka e re”.

Ndërsa Daka e ka njoftuar Osmanin se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, si për zbatimin e manualit për mbrojtje nga pandemia, ashtu edhe për zgjedhje të drejta në përputhje të plotë me praktikat demokratike.

Ajo ka siguruar Osmanin se deri tani nuk kanë hasur në asnjë problem dhe se janë në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse që të jenë të pajisur me të gjitha materialet e nevojshme.

Në këtë kontekst, Osmani ka bërë thirrje që personeli zgjedhor dhe qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje nga pandemia, duke mbajtur higjienën, maskën dhe distancën.

Ajo ka ritheksuar rëndësinë e realizimit të së drejtës kushtetuese për të votuar për qytetarët e këtyre dy komunave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur, Trejsi Sejdini, tashmë ka hedhur pas krahëve…