Sorensen më 6 gusht po zhvillon takime me krerët shtetërorë në Kosovë.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi zotin Sorensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Përveç dialogut, sipas Presidencës së Kosovës, Osmani dhe Sorensen kanë folur edhe për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga blloku evropian.
Osmani i ka cilësuar këto masa të padrejta, dhe ka thënë se ato prekin “më së shumti qytetarët e Kosovës”.
BE-ja veçse ka njoftuar se ka nisur heqjen e masave, por nuk ka treguar se cilat masa janë hequr deri më tani.
Në këtë takim, Osmani po ashtu ka folur me emisarin evropian për arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi “duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.
Pas takimit me Osmanin, Sorensen ka shkuar në Qeverinë e Kosovës për një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e emisarit evropian për dialogun vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Igor Popoviq u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Ndërkaq, BE-ja ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Takimi i Sorensenit me Osmanin vjen në kohën kur Kosova gjendet në një krizë politike, pasi që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit, vendi nuk ka institucione të reja.
Shefja për diplomaci e BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Kosovë të zhvilluar në maj, u bëri thirrje udhëheqësve politikë të zhbllokonin ngërçin politik, teksa njoftoi se blloku evropian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Këto masa ndëshkuese, BE-ja ja vendosi Kosovës verën e vitit 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kallas po ashtu kanë thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Më 2023, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, por sikurse edhe marrëveshje të tjera, BE-ja thotë se ky pakt nuk po zbatohet në terren.