
Osmani ia dërgon Hagës kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.
Në këtë letër, që ka siguruar “Radio Evropa e Lirë”, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.
Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Në letrën dërguar Trendafilovas, Osmani ka thënë: “Do t’ju isha mirënjohëse nëse ndryshimet e propozuara do t’i dërgoheshin te Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të kushtetutës”.