
Osmani ia dorëzon familjes së Agim Ramadanit kopjen e dekoratës ‘Urdhri Hero i Kosovës’
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se të premten ia ka dorëzuar familjes së Agim Ramadanit, kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën ia kishte ndarë ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, ajo ka thënë se Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),
“Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ia dorëzuam kopjen e dekoratës ‘Urdhri Hero i Kosovës’, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla. Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.