
Osmani kërkon mbështetjen e Parlamentit Evropian: Evropa është destinacioni i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit në Parlamentin Evropian (PE) ka rikthyer në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve kur ish-presidenti Ibrahim Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov kishte mbajtur fjalim në PE.
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, ka thënë Osmani.
Sipas presidentes Osmani, fjalimi i Rugovës i kishte dhënë shpresë popullit të Kosovës.
“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, ka thënë Osmani.
Para eurodeputetëve, Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, ka rikujtuar edhe një thënie të Rugovës se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.
Në këtë kontekst, ajo ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.