Osmani kërkon nga Austria dhe Sllovenia përkrahje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

06 tetor 2025 | 23:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi përkrahje nga Austria dhe Sllovenia për heqjen e masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Ajo priti sot në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, Neva Grašič.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Austrinë dhe Slloveninë. Presidentja Osmani i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për angazhimin në promovimin e stabilitetit rajonal.

“Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë dhe Sllovenisë për heqjen e masave kufizuese të BE-së, duke i cilësuar ato të pajustifikuara në raport me arritjet e vendit. Po ashtu, Presidentja Osmani tha se shpreson se këto dy vende mike do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara aplikimin e Kosovës për shtet kandidat të BE-së, ashtu siç e kanë vepruar me disa shtete të rajonit më parë”, theksohet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim theksohet se Osmani nënvizoi se “Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa miqësia dhe partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë janë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka arritur…