Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit

22 korrik 2025 | 16:36

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik, afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për sqarimin e pasojave juridike të moskonstituimit të kuvendit brenda 30 ditësh”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie.

Sipas Osmanit, qëllimi është që të sqarohet situata për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor dhe të sqarohen se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendit.

Në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar nga Kushtetuesja “masë të përkohshme” për Kuvendin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të kanë dështuar ta konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë janë duke kundërshtuar ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Sot (e mërkurë) do të tentohet përsëri të konstituohet legjislatura e nëntë ndonëse partitë nuk kanë lëvizur nga pozicionet fillestare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një hetimi të ri, autoritetet ruse kanë përfshirë sistematikisht…