Osmani kërkon t’i kthehen bisedimeve për arritjen e marrëveshjes në mes të LV-së dhe LDK-së

22 janar 2020 | 16:38

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë se janë të interesuar për të kontribuar në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në Kryesi të LDK-së dje është përcaktuar qartë dhe unanimisht që LDK-ja negocion vetëm me Vetëvendosjen për një qeveri të ardhshme, siç kemi bërë deri tani dhe askush nuk ka propozuar apo përkrahur opsione të tjera”.

“Është e qartë se në asnjë mënyrë nuk kemi ndonjë opsion ‘B’, kemi dalë para qytetarëve me një opsion dhe ky është i vetmi për të cilin ne punojmë. Pra nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dje në Kryesi dhe në të njëjtën kohë nuk besoj që diçka e tillë do të ishte e mirë për vendin jo vetëm për gabimet e qeverisë së kaluara nga partitë e PAN-it, por për shkak edhe se iu kemi dhënë fjalën qytetarëve dhe është e rëndësishme ta mbajmë”, ka thënë Osmani për medie.

E pyetur nëse në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar në lidhje me heqjen dorë nga posti i kryeparlamentarit, Osmani është përgjigjur: “Kemi diskutuar shumë gjëra dhe konkludimi i përbashkët ka qenë që ne jemi të interesuar që në një periudhë sa më të shkurtër kohore të arrijmë marrëveshjen me Vetëvendosjen”.

“Secili anëtarë e ka shprehur vullnetin e plotë të kontribuojë në këtë drejtim që të eliminohen keqkuptimet të cilat janë krijuar deri më tani dhe siç e kam theksuar edhe më herët këto pakë ditë kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nga të dyja palët (LDK e VV) në mënyrë që të lihen anash fajësimet sepse duhet të kihet parasysh krijimi i një qeverie në përputhje me vullnetin qytetar që do të fillojë sa më shpejt të merret me problemet e qytetarëve”.

Më tutje, Osmani ka thënë se janë të interesuar që të kthehen në tavolinën e bisedimeve me Vetëvendosjen për të arritur marrëveshjen për ta qeverisur vendin.

“Ne jemi të interesuar t’i kthehemi tavolinës së diskutimeve dhe natyrisht që propozimet që tani ka bërë LDK-ja, të gjitha kanë qenë me synim arritjen e marrëveshjes, përfshirë dhe atë të fundit që synim e kanë tejkalimin e problemeve e LV-ja duhet ta shoh si të tillë, si një mundësi për ecjen përpara në mënyrë që të kemi qeverinë sa më shpejt. Të tjera do të diskutohen në tavolinën e negociatave në momentin që do të kemi takimin e parë kurdo që është ai”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës në të…