Osmani: KFOR-i, garantues i sigurisë në Kosovë për më shumë se dy dekada

03 tetor 2025 | 13:37

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, e cila u mbajt sot në kampin “Film City” në Prishtinë. Ajo falënderoi të gjithë aleatët e Kosovës për kontributin shumëvjeçar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, duke vlerësuar lart rolin e KFOR-it.

“Për më shumë se dy dekada, KFOR-i është aktori kryesor në ofrimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka njoftuar se sapo ishte kthyer nga vizita në Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte falënderuar liderët e vendeve që kanë kontribuar me trupa në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

“Sapo u ktheva nga Danimarka dhe ShBA-ja, ku falënderova liderët që kanë sjellë djemtë dhe vajzat e tyre për të shërbyer në Kosovë. Kosova gjithmonë do të jetë falënderuese”, ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar lidhjen e fortë të qytetarëve të Kosovës me vlerat demokratike dhe paralajmëroi për kërcënimet që mund të rrezikojnë paqen dhe progresin e arritur.

“Qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë qenë të lidhur me lirinë, demokracinë dhe sigurinë. Ka të tillë që duan të zhbëjnë atë që kemi arritur dhe të na kthejnë aty ku kemi qenë. Përgjigjja ndaj tyre duhet të jetë e fuqishme”, ka thënë ajo, duke nënkuptuar kërcënimet autoritare dhe ndikimet destabilizuese në rajon.

Presidentja Osmani ka nënvizuar se paqja dhe stabiliteti kërkojnë qartësi, unitet dhe lidership të përgjegjshëm.

“Vetëm përmes konsistencës dhe qartësisë mund të ruajmë paqen. Sot, në rajon dhe më gjerë, këto parime janë nën sulm. Shohim sulme, por uniteti ynë duhet të jetë i palëkundur. Vetëm kur jemi të bashkuar, mund të ketë paqe në Evropë”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka përshëndetur gjeneralmajorin italian Enrico Barduani, i cili ka përfunduar mandatin si komandant i KFOR-it dhe ka mirëpritur pasardhësin e tij, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutas.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e majtë e Spanjës ka propozuar që aborti të…