
Osmani: Masakra e Dubravës mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive dhe dëshmi e pashlyeshme e shtetit gjenocidal serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në burgun e Dubravës, duke thënë se “mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidet serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Osmani ka thënë se sot, kujtojmë me dhimbje masakrën e burgut të Dubravës, njërën prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
“Në majin e vitit 1999, brenda mureve të burgut të Dubravës ndodhi krimi makabër: për pesë ditë rresht, regjimi gjenocidal i Serbisë, vrau mizorisht 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik si dhe plagosi 300 të tjerë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi.
26 vjet më parë në burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.
Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.