Osmani me kongresistët amerikanë: Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

24 nëntor 2025 | 15:43

Presidentja e Vjosa Osmani, ka pritur në takim të hënën kongresistin Michael Turner (R-OH) si dhe kongresistin Donald Norcross (D-NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe ShBA-ve.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të ShBA-ve ndaj Kosovës.

Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë. Asnjë nga këto të arritura, theksoi presidentja Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane.

Më tej, presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me ShBA-të.

Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh.

Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it.

Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garanci e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut.

Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë.

Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ka…