
Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Gjermani, ka qëndruar të enjten në Aspen Institute në Berlin, ku ka folur për aspiratat euroatlantike të vendit dhe reformat demokratike që po ndërmerren në Kosovë.
Osmani ka thënë se në këtë institut kishte folur për përkushtimin e Kosovës ndaj reformave dhe zhvillimit demokratik, duke theksuar se orientimi i vendit drejt strukturave perëndimore është i pandryshueshëm.
“Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Ajo ka thënë se ky orientim strategjik nuk është vetëm aspiratë e Kosovës, por edhe një interes më i gjerë për stabilitetin e rajonit dhe aleancën euroatlantike.
“Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, ka shkruar presidentja Osmani.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidentja Osmani do të mbajë gjithashtu një fjalim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Berlinit, ku do të flasë për mbrojtjen e demokracisë para studentëve dhe akademikëve. Kjo ngjarje zhvillohet në kuadër të aktivitetit “Java e Takimeve me Personalitete Evropiane”.