Osmani në takim me Metën: Ballkanit i kanoset rreziku nga politika agresive e Serbisë

25 nëntor 2021 | 17:24

Presidenca e Kosovës ka dhënë detaje për takimin që ka pasur presidentja Vjosa Osmani me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta.

Presidenca ka thënë se Osmani ka kërkuar nga homologu Meta që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në organizatat në të cilat vendi ynë nuk është i përfaqësuar.

Presidentja Osmani ka theksuar se është kundër çfarëdo ideje, e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Osmani.

Duke iu referuar iniciativës “Ballkani i Hapur”, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euroatlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.

Më tutje,  presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin  dialogut me Serbinë, porse nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Presidentja Osmani, në vigjilje të Ditës së Flamurit, e ka uruar presidentin Meta dhe popullin shqiptar për 109-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka theksuar se kjo ditë i bën krenarë shqiptarët kudo që janë. Sipas Presidentes Osmani me Shqipërinë bashkëpunimi i vendosur prej kohësh më shumë fusha do të pasohet edhe me marrëveshje të tjera.

Ajo ka përmendur mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet nesër (e premte) në Elbasan, në të cilën Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë 16 marrëveshje të tjera, ndër të cilat ajo për lëvizjen e lirë, shkëmbimin tregtar, fushën e arsimit, drejtësisë apo infrastrukturës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka vendosur disa xhipa të…