
Osmani: Nëse zvarritet shumë konstituimi i Kuvendit, s’e kam problem ta dërgoj çështjen në Kushtetuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk e ka problem që bllokadën në Kuvend ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Por, ajo tha se këtë do ta shqyrtojë vetëm nëse procesi zvarritet edhe më shumë dhe po ashtu njoftoi se për këtë ka folur edhe me liderët partiakë në takimin e sotëm.
“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Mënyra tjetër është që unë si presidente të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pat ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie pas takimit me liderët e partive politike.