
Osmani njofton për takimet që pati sot me dhjetë liderë politikë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT.
Presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion.
Më tej, presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit.
Presidentja Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.
Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim.