
Osmani nuk do ta pranonte postin e kryeministrit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, ka thënë se i propozuari për kryeministër, Avdullah Hoti, është shprehur i gatshëm të marrë përgjegjësi. Sipas tij, duke marrë parasysh qëndrimin e Vjosa Osmanit, e cila është shprehur kundër koalicionit me AAK-në e Nismën, nga LDK-ja është menduar se e njëjta nuk do ta pranonte postin. “Osmani nuk do ta pranonte postin e kryeministrit, prandaj kemi kaluar tek opsioni tjetër. Në mesin e të propozuarve për kryeministër kanë qenë Lutfi Haziri i cili nuk është dukur i interesuar në këtë fazë, pastaj Kujtim Shala i cili, gjithashtu, nuk ka qenë i interesuar, por Avdullah Hoti ka qenë i gatshëm të marrë përgjegjësi. Ka një tendencë që LDK-ja të paraqitet në një pozicion mes dy zjarresh. Unë mendoj se LDK-ja ka pozicion shumë stabil në kuptimin e votës që ajo merr”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se i kanë numrat për formimin e qeverisë, duke shtuar se janë më shumë se 60 deputetë.
Dushi ka deklaruar se bashkë me dy partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje shumë shpejt.
Ai thotë se asnjëherë nuk e ka mashtruar elektorati i LDK-së. “Ne jemi marrë vesh për programin me LV-në shumë shpejt, por kemi pasur telashe pastaj me ndarjen e disa pozicioneve. Kur flasim për AAK-në dhe Nismën kemi të bëjmë me subjekte politike që dallimi i votave që ka LDK-ja me këto subjekte është i madh, prandaj edhe marrëveshja ka qenë më e lehtë. Në asnjë rast nuk e kemi mashtruar elektoratin. Ne qysh para zgjedhjeve kemi marrë vendim që nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Tashmë nuk ekziston PAN-i. Janë parti individuale. Ne duhet ta kuptojmë sistemin tonë parlamentar dhe t’i mirëkuptojmë koalicionet e domosdoshme”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se LDK-ja asnjëherë nuk e ka keqpërdorur qëndrimin e LV-së.