Osmani optimiste se seanca për mandatarin do thirret brenda afatit kushtetues
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar mundësinë e thirrjes së seancës së Kuvendit për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë, në të cilën Glauk Konjufca është mandatari i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një prononcim për media, Osmani tha se seanca mund të thirret edhe si e jashtëzakonshme, nëse sigurohen 40 nënshkrimet e deputetëve.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vet. Këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani. Sa i përket ftesës për seancë, ai ka qenë optimizmi im, duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Unë kam pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur. Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”, ka theksuar ajo.



