
Osmani, partive politike: Lini anash dallimet, tentoni të bëni koalicion të shumicës parlamentare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për tansmetuesin polak “TVP World” në Alpbach, u ka bërë thirrje të gjithë partive politike për të bërë kompromis dhe për të arritur funksionalizimin e Kuvendit.
Ajo ka thënë se është për të ardhur keq që populli i Kosovës nuk ka ende të funksionalizuara institucionet.
Sipas saj, mes partive politike ka mosbesim, dhe nuk kanë vullnet për të bashkëpunuar.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, ka thënë presidentja Osmani.
E para e vendit, ka thënë se bota është trazuar dhe se Kosova nuk mund të jetë në qendër të vëmendjes.
“Nuk e kemi luksin të presim, duhet të veprojmë, jemi duke humbur shumë kohë”, ka thënë ajo, lidhur me ngërçin politik të krijuar në vend.