Osmani: “Trepça” është e paprekshme

20 shkurt 2020 | 12:28

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stan Tërgut.

Grevën e minatorëve, Osmani e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë. “Në kontekstin historik, greva e minatorëve të “Trepçës” mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme. “Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e “Trepçës” e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.  “Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Trepça” është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Feronikeli regjistroi suksesin historik në edicionin e kaluar duke fituar…