Osmani për ‘BBC’-në: Kosova e di si arrihet paqja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për “BBC”-në se Kosova e di se si arrihet paqja, duke theksuar përvojën e saj historike dhe rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Osmani, një nga lideret botërore që i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të ShBA-së, Donald Trup dhe tha se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë e këtij mekanizmi.
Ajo ka kujtuar se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe se ndaj popullit të saj po kryhej gjenocid, ndërsa ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, shpëtoi jetë dhe i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Osmani në një intervistë për “BBC”-në, ka thënë se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë Bordit të Paqes.
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botënm jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen”, ka thënë ajo.
Sipas saj, “ne e dimë se si mund të arrihet paqja, dhe ajo arrihet përmes veprimit”.
“Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, duke u rritur nën granata dhe, si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por thelbi është ky: ajo që po dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre, ishin fjalë, por nuk kishte asnjë veprim, derisa ShBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë”, ka thënë Osmani.
Duke shtuar se arsyeja e parë është ky dallim mes krijimit të paqes dhe ruajtjes së paqes. “Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që merret me krijimin e paqes dhe arritjen e saj. Pastaj, natyrisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes, gjë që është ajo që bën më së miri dhe që e ka bërë me mbështetjen e shumë shteteve, këtu në Kosovë për më shumë se dhjetë vjet”, ka thënë Osmani
Osmani është pyetur se a synon ta zëvendësohet OKB-në me këtë? “Jo. Jo. Krejt e kundërta. Siç thashë, këto organizata mund të punojnë dorë për dore, njëra duke u përfshirë në krijimin e paqes dhe arritjen e saj”, ka deklaruar Osmani.



