
Osmani për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese: Nuk janë shenjtorë, i kritikojmë, marrin edhe vendime absurde
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “është brenda normave demokratike” të kritikohet Gjykata Kushtetuese dhe se “ata nuk janë të shenjtë”.
Osmanit këtë vlerësim e ka dhënë kur është pyetur për deklaratën e Ambasadës së Gjermanisë, e cila ka dënuar sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetues.
“Sa i përket Ambasadës gjermane, deklarimin e tyre. Si presidente e kërkoj pikërisht këtë, pavarësi në vendimmarrje, integritet dhe mbrojtje të RKS-së nga rrezikimi i themeleve kushtetuese. Në asnjë moment nuk konsideroj se jam duke e kritikuar apo sulmuar, po e kryej punën time si garantuese e institucioneve”, ka thënë Osmani, duke shtuar se ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që janë “absurde”.
“Sa i përket sulmeve në përgjithësi, ta themi një gjë. Kushtetuta nuk e ndalon që ne të komentojmë vendimet e gjykatës. Nuk ndalohet komentimi, as nuk ndalohet kritika, kritika profesionale. Normale. Republika e Kosovës është shtet ku garantohet liria e shprehjes, edhe liria për të mos u pajtuar me aktgjykimit, përderisa i zbatojmë në plotni. Pyetje duhet të jetë a i zbatojmë? Të gjithë i zbatojmë. Mos të pretendojmë se ato janë shenjtëri, flasim për të gjithë edhe ata nuk janë mbi Kushtetutën. Pra s’po flasim për shenjtëri. Është brenda normave demokratike”, ka thënë ajo.