
Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e SEECP-së në Tiranë
Nën drejtimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë po mbahet Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku po marrin pjesë liderët më të lartë të rajonit, përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani është ndër të ftuarit kryesorë të këtij samiti të nivelit të lartë, ku po diskutohet mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal, me fokus “Nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”.
Përveç presidentes së Kosovës, në samit po marrin pjesë edhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryetarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova si dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës së SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Të pranishëm janë gjithashtu do të jenë edhe kryeministri i Serbisë, Duro Macut, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, m,inistri i Jashtëm i Rumanisë, Emilian Hurezeanu, zëvendësministrja e Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopoulou si dhe përfaqësues të lartë nga Kroacia, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Samiti po shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila këtë vit ka pasur moton: “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Shqipëria pritet t’ia dorëzojë kryesimin Bullgarisë në fund të muajit.