
Osmani përkujton Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 14-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke e vlerësuar si një figurë të shquar të historisë së re të vendit.
Ajo ka thënë se Nekibe Kelmendi ishte avokate e palodhur për të drejtat e njeriut, aktiviste politike e guximshme dhe bashkëpunëtore e afërt e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Po ashtu, Osmani ka thënë se Kelmendi ishte një zë i fuqishëm për drejtësi në kohët më të errëta për Kosovën.
“Pavarësisht dhembjes personale nga humbja tragjike e bashkëshortit dhe dy djemve të saj, të vrarë nga regjimi gjenocidal serb, ajo qëndroi stoike dhe nuk hoqi dorë nga angazhimi për liri, dinjitet dhe drejtësi. Znj. Kelmendi dha një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e shtetndërtimit, përfshirë hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës dhe shumë procese të tjera shtetformuese. Kujtimi për të do të jetojë gjithmonë si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në paqe, drejtësi dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, citohet të këtë thënë Osmani.