Osmani: Presidenca nuk ishte kulmi i karrierës sime, por vetëm fillimi

25 mars 2026 | 13:31

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se marrja e detyrës si kryetare e Republikës, pesë vjet më parë,  nuk ka qenë kulmi i karrierës së saj, por vetëm fillimi.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë në një organizim për Javën e Gruas në Prishtinë, që rastis të jetë pak ditë para se ta përfundojë mandatin e saj si shefe e shtetit.

“Pesë vite më parë kur e mora detyrën nuk e pash si kulm të rrugëtimin tim por si fillim. Ishte ai moment kur filloi përgjegjësia dhe pushtetin nuk e mora si privilegj por shërbim”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, pesëvjeçari i saj në krye të shtetit ishte periudhë kur u forcuan institucionet dhe u shtua hapësira për gratë.

Megjithatë, ajo ka përmendur edhe atë që e quajti fushatë baltosëse ndaj saj, për të cilën tha se u bë kohët e fundit, pasi shpërndau Kuvendin, me dekret presidencial.

Edhe pse nuk përmendi emra, e para e vendit tha se kur propaganda mund të kthejë, brenda natës, dikë si tradhtare, atëherë e tërë demokracia është në rrezik.

“Në javët e fundit puna ime është shfaqur me një fushatë baltosëse. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti njerëzor. Kur propaganda mund të kthejë këdo në tradhtare brenda natës atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa ka…