Osmani pret në takim dy zyrtarë të lartë të NATO’s, Presidenca jep detaje
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Sven Lange, si dhe Ud. Shefen e Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, Divizioni i Operacioneve në Selinë e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Ajo ka vlerësuar mbështetjen e NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, sidomos në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit.
“Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s”, thuhet në njoftim.
Në fund thuhet se Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.



