
Osmani pret sot liderë nga Antigua e Barbuda dhe Tanzania
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë sot dy takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë nga Amerika Qendrore dhe Afrika Lindore.
Sipas agjendës zyrtare të Presidencës, në orën 15:00 Osmani do të mirëpresë me ceremoni shtetërore Guvernatorin e Përgjithshëm të Antigua dhe Barbuda, Rodney Williams në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, raporton Telegrafi.
Më pas, në orën 16:30, presidentja do të zhvillojë takim me Ministrin e Jashtëm të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo, në ambientet e Presidencës.
Mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të të dy takimeve.
Vizitat e përfaqësuesve të lartë nga Antigua dhe Barbuda si dhe Tanzania vijnë në një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, me synim zgjerimin e njohjeve dhe forcimin e aleancave ndërkombëtare.