Osmani pritet me nderime mbretërore nga Sulltani i Bruneit Darussalam

05 maj 2025 | 14:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën është pritur me nderime mbretërore dhe me Gardë Ceremoniale nga Sulltani i Brunei Darussalam, Hassanal Bolkiah.

Sipas Presidencës, intonimi i himneve shtetërore u shoqërua me 21 shtëna të topave, në shenjë nderimi dhe respekti për këtë vizitë shtetërore, e cila po realizohet me ftesë të Sulltanit të Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah Mu’izzaddin Waddaulah.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani e ka falënderuar Madhërinë e tij, Sulltanin e Bruneit Darussalam si dhe Madhërinë e Saj, bashkëshorten e tij, për mikpritjen dhe për mbështetjen e palëkundur për Kosovën që nga koha e pasluftës, e pastaj me njohjen e pavarësisë dhe në proceset e mëtejshme në fuqizimin e shtetësisë sonë, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Në qendër të diskutimeve thuhet se ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunim në fusha si ekonomia, turizmi, dhe teknologjia informative.

Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së mëtejme nga Sulltani Bolkiah për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare ‘posaçërisht në rajonin e Azisë Juglindore dhe vlerësoi rolin aktiv të Bruneit në këtë drejtim’.

“Me rastin e vizitës shtetërore, Sulltani i Bruneit ka organizuar edhe një banket shtetëror në nderim të Presidentes Osmani dhe Zotëriut të Parë, në praninë e anëtarëve të familjes mbretërore, qeverisë së Bruneit Darussalam, si dhe pjesëtarëve të korit diplomatik”, theksohet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Osmani e ka ftuar Sulltanin Bolkiah për një vizitë zyrtare në Kosovë si hap për ta thelluar më tej miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy shteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oscar Piastri i McLaren fitoi Çmimin e Madh të Miamit,…