Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen

05 gusht 2025 | 13:53

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Nissinen në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës.

Ajo ka theksuar se angazhimi i tij i vazhdueshëm ka luajtur një rol kyç në afrimin e mëtejmë të dy vendeve dhe në krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka vlerësuar në mënyrë të veçantë vizitën bilaterale në Finlandë, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe një dëshmi konkrete e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit, Osmani ka ritheksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për rrugën euroatlantike të Kosovës. Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në vend, përfshirë konstituimin e institucioneve të reja.

Në përmbyllje të takimit, presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e frytshëm dhe përfaqësimin me dinjitet të shtetit dhe popullit finlandez në Kosovë, duke i uruar atij suksese të mëtejshme në të gjitha angazhimet e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…