Osmani: Rekomandimet e Zyrës së Auditorit të merren më seriozisht

11 gusht 2018 | 19:30

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se institucionet e vendit duhet të jenë më fleksibile sa i përket marrjes parasysh të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shkalla e zbatimit të rekomandimeve të auditimit nuk është e kënaqshme. Osmani ka theksuar se është e nevojshme të rritet fokusi në zbatimin e rekomandimeve, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje të mirë dhe shërbime kualitative për qytetarët. Ai ka bërë me dije se arsyet për zbatim të ulët të rekomandimeve janë mungesa e proceseve formale për monitorimin e mirëfilltë dhe sistematik të planeve të veprimit dhe mungesa e përkushtimit të duhur për trajtimin e tyre. Osmani ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria kanë dështuar të sigurojnë kushte për punë sa i përket akomodimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Epoka e re”: Z. Osmani, çfarë përmban plani strategjik i Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018 – 2021?

 Osmani: Për herën e parë, para pak ditësh, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe intensiv, kemi miratuar planin e ri strategjik 2018-2021, ku kemi përcaktuar tri qëllime kryesore që kanë të bëjnë me përmbushjen e misionit për të kryer auditime relevante, në përputhje me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit, të zhvillojmë dhe forcojmë kapacitetin institucional për ta mbështetur auditimin dhe qeverisjen korporative dhe të zhvillojmë e mirëmbajmë marrëdhënie të mira me palët e jashtme, duke promovuar auditimin, rritur ndikimin dhe duke u integruar në organizatat globale dhe rajonale të institucioneve supreme të auditimit. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm synojmë që, krahas përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së produkteve të auditimit, ta zgjerojmë portofolin e auditimeve të performancës dhe të ndërmarrjeve publike, ta azhurnojnë metodologjinë e punës për të filluar me dhënien e opinionit edhe për auditime të pajtueshmërisë, si dhe ta zhvillojnë qasjen për përzgjedhjen e institucioneve dhe temave audituese bazuar në vlerësimin e rrezikut. Synim tjetër është edhe integrimi i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në organizatat globale dhe rajonale të institucioneve supreme të auditimit. Për realizimin e këtyre synimeve Zyra Kombëtare e Auditimit, në përputhje me mandatin e saj, do të bashkëpunojë ngushtë, përveç me Kuvendin e Kosovës dhe me organizatat e shoqërisë civile dhe mediet, Qeverinë dhe subjektet e audituara, institucionet e zbatimit të ligjit, partnerët profesionalë që janë institucionet homologe të auditimit dhe organizatat profesionale rajonale dhe ndërkombëtare të auditimit, institucionet akademike, shoqatat profesionale, donatorët etj.

 “Epoka e re”: Në disa raste nuk janë zbatuar rekomandimet e dhëna nga raporti i auditorit sa i përket auditimti të ndërmarrjeve publike, po ashtu edhe të nivelit lokal. Si duhet të ndryshohet kjo çështje?

 Osmani: Niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga ana e organizatave buxhetore është një tregues i rëndësishëm nëse ato kanë të zhvilluara sisteme efikase dhe efektive në arritjen e objektivave të veta. Nga analizat tona që burojnë nga veprimtaria audituese del se shkalla e zbatimit të rekomandimeve të auditimit nuk është e kënaqshme. Arsyet për zbatim të ulët të rekomandimeve janë mungesa e proceseve formale për monitorimin e mirëfilltë dhe sistematik të planeve të veprimit dhe mungesa e përkushtimit të duhur për trajtimin e tyre. Po ashtu, mungesa e mbikëqyrjes efikase nga ana e Qeverisë dhe organeve mbikëqyrëse ka ndikuar që organizatat buxhetore ta shmangin zbatimin e plotë dhe konsistent të udhëzimeve për menaxhimin financiar, duke bërë që rekomandimet të përsëriten. Përfundimisht, ne kemi nevojë ta rrisim fokusin në zbatimin e rekomandimeve, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje të mirë dhe shërbime kualitative për qytetarët. Mesatarja e përgjithshme e zbatimit të rekomandimeve është 25.38 për qind për nivelin lokal të qeverisjes. Një qasje serioze nga menaxhmenti i çdo komune për zbatim të rekomandimeve është thelbësore që të arrihen përfitimet maksimale nga raporti i auditimit. Sa i përket Ndërmarrjeve Publike (NP), auditimi i pasqyrave financiare vjetore të vitit 2017 ka nxjerrë në pah se sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit në NP ka nevojë për përmirësime thelbësore. Fakti që për nëntë ndërmarrje janë dhënë opinione të modifikuara, tregon për cilësi jo të mirë të raportimit dhe operimit të sistemeve financiare. Të gjitha pasqyrat financiare të audituara kanë rezultuar me pasaktësi të të dhënave financiare dhe, rrjedhimisht, me gabime materiale. Ndërmarrjet publike janë audituar nga kompani audituese private. Në vitin paraprak kanë rezultuar me numër më të ulët të rekomandimeve për shkak se fokusi dhe metodologjia e punës së tyre ishte e përqendruar kryesisht tek pjesa e raportimeve financiare, më pak te pajtueshmëria me rregulloret. Nga rekomandimet e dhëna në vitin paraprak, rreth 30 për qind prej tyre janë zbatuar, 30 për qind janë në proces të zbatimit dhe 40 për qind ende nuk janë adresuar. Nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve të vitit paraprak vërehet sidomos te ndërmarrjet që ishin audituar për herë të parë nga ZKA.

“Epoka e re”: Sa është numri i auditorëve në Kosovë dhe a është i mjaftueshëm për tregun e Kosovës?

Osmani: Kapacitetet tona janë në zhvillim të vazhdueshëm. Ne i kushtojmë kujdes të veçantë kompetencës profesionale të resurseve humane. Aktualisht kemi 135 auditorë të angazhuar për zbatimin e përgjegjësive që burojnë nga kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm nga të cilët 39 auditorë të certifikuar për sistemin akrual të kontabilitetit dhe 53 auditorë të certifikuar për sistemin e kontabilitetit në të gatshme (cash). Kujdes të veçantë po u kushtojmë përvojave ndërkombëtare dhe përmes marrëveshjeve për bashkëpunim specifik me organizata prestigjioze, disa auditorë kanë qëndruar për disa muaj në Gjykatën Evropiane të Llogarive në Luksemburg, Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm në SHBA, në Institucionet Supreme të Auditimit të Suedisë, Anglisë, Polonisë etj. Këto angazhime po japin rezultate konkrete. Andaj, ne kemi kapacitete shumë të mira sa iu përket auditimeve financiare. Gjendja nuk është e kënaqshme, me kapacitetet e auditimit të sektorëve specifikë që kanë të bëjnë me sistemet e teknologjisë informative dhe telekomunikimeve, fushën e mjedisit e ambientit e të ngjashme ku kemi mungesë të auditorëve të certifikuar. Në aspektin softuerik, ne përdorim një program “Idea”, që është efikas për një pjesë të procesit auditues që ka të bëjë me mostrimin. Është program që përdoret edhe nga vende të tjera të përparuara, por ne kemi nevojë urgjente dhe është në planin tonë të punës të përvetësojmë një program elektronik auditivi për fazat e tjera të proceseve audituese, pasi kjo do ta shkurtonte shumë kohën e auditorëve tanë të angazhuar, rris sigurinë dhe cilësinë e produkteve tona dhe e bën shumë pak të nevojshme përdorimin e letrës. Në komunikim me publikun, përveç përdorimit të mediave sociale, uebfaqja jonë është e pasur me informata dhe raporte dhe e lehtë për përdorim nga ana e përdoruesve të gjerë. Në disa konferenca ndërkombëtare që kanë trajtuar transparencën dhe komunikimin është dhënë si model edhe për institucionet e tjera të auditimit.

“Epoka e re”: Është kritikuar shuma e lartë e pagesës së qerasë. Tani që jeni në lokacion të ri, sa paguhet qiraja? Osmani: Fatkeqësisht, Kuvendi dhe Qeveria kanë dështuar t’i sigurojnë kushtet për punë sa i përket akomodimit. Mjafton një vizitë në ndërtesat që kishim në shfrytëzim deri më tani, që ta shihni krahasimin me fqinjët në Tiranë, Shkup, Podgoricë apo Beograd. Kjo çështje nuk është zgjidhur deri më sot. Po flasim për një institucion që, përkundër kësaj, ka arritur të bëhet lider jo vetëm në nivel kombëtar, por në gjithë Ballkanin Perëndimor, duke punuar edhe me këto kushte të rënda të akomodimit dhe i cili ka kompetenca shumë specifike për kontrollin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe financiar. ZKA-ja që nga themelimi në vitin 2003 ishte akomoduar në objekte private dhe varësisht nga rritja e kapaciteteve të saj apo kushteve të kontratës është detyruar që disa herë të zhvendoset nga një lagje në tjetrën. Për dy objektet në shfrytëzim kemi paguar pas vitit 2015 rreth 12 300.00 euro në muaj, pa llogaritur kostot e parkingut për nevojat zyrtare. Objektet kanë qenë të destinuara për banim e jo për veprimtari administrative, me rreth 1 400m2 hapësirë pune nga 2 200 m2 bruto sa kanë pasur në total. Në këtë kohë, ZKA-ja kishte rreth 114 punonjës dhe në një mënyrë ky numër mund të sistemohej brenda kësaj hapësire. Për ta përmbushur mandatin, numri i punonjësve vazhdimisht është rritur. Çdo akomodim shtesë në këtë objekt i vështirësonte kushtet e punës. Gjatë vitit 2016 dhe 2017 kemi vazhduar përpjekjet që përmes organeve kompetente të sigurojmë një objekt zyrtar apo së paku një lokacion për ndërtimin e objektit. Meqenëse kërkesat tona s’u realizuan kurrë dhe përballë kishim nevojën e akomodimit të rreth 190 punonjësve, nga të cilët 167 punonjës kosovarë dhe të tjerët nga projektet partnere ndërkombëtare, përmes një procesi të përsëritur publik, tani më 1 gusht jemi akomoduar në një objekt në lagjen Arbëria. Për këtë objekt me 3 200m2, i vendosur në një sipërfaqe prej 32.3 ari (e cila hapësirë shfrytëzohet nga ZKA, për nevojat e parkingut dhe qëllimeve të tjera logjistike), do të paguajmë 13 500.00 euro në muaj. Objekti është i ndërtuar për qëllime të punës administrative, ka hapësirë të mjaftueshme për akomodimin e kapaciteteve ekzistuese dhe ofron kushte më solide të punës. Po ashtu, e rëndësishme është që ky objekt plotëson kushtet ligjore që lidhen me sigurinë në punë, pasi është i pajisur me sistemet e alarmit dhe shkallëve emergjente dhe është objekt i ndërtuar me leje. Edhe ky akomodim do të jetë i përkohshëm dhe shpresoj shumë i shkurtër, në momentin që Qeveria do të ketë siguruar ndërtesën e përhershme dhe në pronësi publike, institucioni i Auditorit të Përgjithshëm përfundimisht do të mund të vazhdojë punën në kushte normale, por edhe duke kursyer disa dhjetëra mijëra euro që sot përdoren për qiratë. Paramendojeni sa larg do të kishim shkuar, me kapacitetet profesionale, po sikur në vend të qirasë të paguajmë këtë buxhet për nevojat e edukimit profesional të auditorëve, që është një zanat që kërkon shkollim të vazhdueshëm dhe përditësim të njohurive.

“Epoka e re”: Është kërkuar që për disa ndërmarrje publike të ketë auditim nga kompani të huaja. Është i nevojshme një angazhim i tillë?

Osmani: Deri më tani ndërmarrjet publike janë audituar nga kompani auditimi të certifikuara dhe këto kompani janë angazhuar nga vetë ndërmarrjet publike për qëllime të auditimit të pasqyrave financiare. Sa herë që mund të konsiderohet e nevojshme nga ana e menaxhmentit apo aksionarëve të këtyre ndërmarrjeve publike mund të bëhen auditime që kanë në fokus çështje të caktuara dhe që janë në interes për palët e interesuara. Përfshirë këtu edhe kompani private prestigjioze ndërkombëtare të auditimit. Natyrisht që këto shërbime duhet të paguhen. Është e rëndësishme që auditimi të kryhet nga organizata të auditimit që kanë dëshmuar pavarësinë e punës dhe kompetencën profesionale. Po punojmë që paralelisht, me ngritjen e kapaciteteve tona, ta rrisim numrin e ndërmarrjeve publike që do të auditohen nga ana jonë. Vitin e parë kemi audituar gjashtë ndërmarrje, vitin e dytë nëntë dhe në planin e punës për auditimin e pasqyrave financiare 2018 do të jenë 12 ndërmarrje publike, përfshirë sektorin e hekurudhave dhe sektorin e telekomunikacionit.

Intervistoi: Albulena S.MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja kosovare me famë botërore,  Dua Lipa, e cila u…