Osmani: Serbia po planifikon sulme të reja

13 dhjetor 2023 | 22:01

Duke folur para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bruksel, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha para gazetarëve në Bruksel se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

Osmani tha se “do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim”.

“Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, situata në botë bën që të gjithë të tregohen të kujdesshëm për sigurinë edhe në rajon.

Ajo po ashtu tha se ka ardhur me kërkesën që menjëherë të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i quajtur të padrejta.

“Për fat të keq, Serbia ende udhëhiqet nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë në vitet ‘90. Ne nuk duhet të lejojmë që një mentalitet i tillë, një logjikë e tillë të triumfojë. Prandaj, ne po punojmë me partnerët tanë evropianë që të rritet siguria në Kosovë, sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë. E dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të ketë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim, dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim, atëherë Serbia do ta marrë këtë si një nxitje”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia, sipas saj, po planifikon sulme të reja.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar me deklaratën…