
Osmani: Serbia po tenton të blejë vota në Kosovë, trimërohet sepse nuk ndëshkohet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë është më flagrantja. Ajo ka deklaruar për “A2 CNN” se Serbia po përpiqet të blejë vota duke shkelur parimin e fqinjësisë së mirë.
“Është një prej ndërhyrjeve më flagrante që ka ndodhur në proceset zgjedhore në Kosovë edhe pse ato kanë qenë të vazhdueshme dhe ky nuk është vetëm konstatim i yni por ka qenë konstatim i vazhdueshëm edhe i institucioneve evropiane dhe atyre amerikane. Serbia vazhdimisht nëpërmjet njerëzve që i kontrollojnë në Kosovë kanë ndërhyrë madje edhe kanë përdorur edhe metoda të dhunshme dhe kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që të marrin vota dhe t’i drejtojnë ata ku ata dëshirojnë. Tash po e shohim që po tentojnë edhe të bëjnë edhe blerje të votave duke premtuar gjëra të cilat nuk i takojnë Serbisë sepse është shtet tjetër dhe kjo sipas çdo perimetri të drejtës ndërkombëtare është në kundërshtim të plotë me parimin e fqinjësisë së mirë sepse siç e dini e drejta ndërkombëtare parandalon apo ndalon ndërhyrjen në zgjedhjet e një shteti tjetër”, ka thënë ajo.
Osmani ka lënë të nënkuptohet se Serbia po trimërohet nga fakti që nuk ndëshkohet asnjëherë sa herë dëmton Kosovën. “Kjo është një shkelje e vazhdueshme që Serbia po e bën, një shkelje e cila është konstatuar disa herë në raportet ndërkombëtare por fatkeqësisht nuk është që është ndërmarrë ndonjë masë ndaj Serbisë dhe pastaj ata po i vazhdojnë këto punë të paligjshme të cilat janë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës dhe në sistemin tontë demokratik”, ka thënë ajo.
Më tutje, Osmani ka thënë se institucionet e sigurisë janë duke u përpjekur maksimalisht që të mbrojnë qytetarët serbë nga manipulimet e Beogradit zyrtar.