Osmani sërish në fokusin e kritikave nga gazetari i FAZ-it: Po shfaqet si “kandidatja e Trumpit” për të siguruar mandatin e dytë
Një debat mediatik i ashpër është ndezur pas deklaratave të gazetarit të njohur gjerman Michael Martens, i cili në disa komente publike ofendoi rëndë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që kanë shkaktuar reagime të fuqishme në Prishtinë.
Martens, gazetar i gazetës prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), i është referuar një sërë ngjarjesh diplomatike të fundit që lidhen me Osmani, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj në forume ndërkombëtare dhe lidhjet me presidentin amerikan Donald Trump.
Së fundmi gazetari ka shkruar një artikull të gjatë që ka publikuar në numrin e të mërkurës në gazetën gjermane FAZ.
Sipas autorit, presidentja ka vepruar pa u koordinuar me kryeministrin Albin Kurti për të siguruar pranimin e Kosovës si anëtare themeluese në të ashtuquajturin “Bordi për Paqe” të Donald Trump dhe se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi.
Tutje Martines citon një intervistë të Osmanit për BBC-në, ku sipas tij ajo e justifikoi afrimin me Trump duke theksuar rolin historik të SHBA-së.
“Në një intervistë për BBC-në, zonja Osmani e shpjegoi sfondin e këtij veprimi të pavarur në Davos duke i kujtuar publikut kohën kur Kosova ishte ende nën okupimin serb. Shqiptarët në atë kohë, tha ajo, nuk merrnin asgjë nga Kombet e Bashkuara përveç fjalëve: Ajo që dëgjonim në atë kohë ishin rezoluta të Asamblesë së OKB-së – ishin letra, ishin fjalë, por zero veprim. Derisa SHBA-të erdhën dhe mobilizuan botën për të na ardhur në ndihmë”, shkruan Martines, transmeton Telegrafi.
Martens kritikon edhe rolin e bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, i cili sugjeroi publikisht që ish-“Grand Hotel” në Prishtinë të shndërrohej në një “Trump Hotel”, si dhe vendimin e Osmanit për të organizuar një pritje presidenciale për premierën e filmit biografik “Melania” kushtuar bashkëshortes së Trumpit.
Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin.
Gazetari i FAZ ka thënë se këto veprime lidhen drejtpërdrejt me faktin se mandati presidencial i Osmanit përfundon në mars dhe ajo aktualisht nuk ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend për një mandat të dytë.
Strategjia e saj, shkruan Martens, është të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, duke ushtruar presion indirekt ndaj deputetëve.
Ajo (Osmani), shkruan autori i artikullit në FAZ i përdor lidhjet e saj të supozuara me rrethin e Donald Trumpit si mjet presioni ndaj deputetëve që e zgjedhin presidentin, duke dërguar mesazhin e nënkuptuar: “Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni probleme me Shtetet e Bashkuara.”




