
Osmani: Shpresoj që sa më shpejt të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është në komunikim me partitë politike dhe po shpreson që sa më shpejt të përmbyllet formimi i institucioneve të reja.
Pas publikimit të vendimit të Kushtetueses ku është konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar, e para e vendit e pyetur nga “Kosovapress” është shprehur më e rezervuar të komentoi, derisa tha se është në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë.
“Është ende vetëm njoftim. Në momentin që publikohet aktgjykimi i plotë iu thërrasim prapë… Jemi në komunikim me parti vazhdimisht dhe do të jemi në të ardhmen. Po shpresoj që sa më shpejt do të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale”, ka thënë ajo.
Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Presidentja Osmani më herët ka dërguar komente në Kushtetuese, ku ka kërkuar që Kuvendi të konsiderohet i konstituuar, derisa siç ka thënë ajo nuk duhet t’ia lejoj Listës Serbe “veton” për konstituimin e Kuvendit
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.
Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.