Osmani: Shqetësuese që zyrtarët e lartë shtetërorë në Shkup s’reaguan ndaj thirrjeve antishqiptare

04 gusht 2025 | 12:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se thirrjet antishqiptare në një ndeshje basketbolli në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë të zhvilluar në Kumanovë, ku ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit fqinj, “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, ka thënë Osmani në një deklaratë publike.

Osmani ka theksuar se më shqetësues ishte fakti që zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin maqedonas Hristjan Mickoski nuk reaguan ndaj këtyre thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, është thënë në deklaratën e Osmanit.

Më tutje, Osmani ka thënë se “sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, është thënë në deklaratën e Osmanit.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova “do ta mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”.

Gjatë ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje si “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës ka përmbyllur me sukses ciklin…