Osmani takohet me ambasadorin e Turqisë: Thellim i bashkëpunimit në mbrojtje, diplomaci dhe zhvillim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe zhvillimet aktuale.
Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si historikisht ashtu edhe gjatë mandatit të saj, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe diplomacisë.
Presidentja ka vlerësuar rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në përkrahjen e Kosovës në procesin e njohjeve ndërkombëtare.
“Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.Të dy palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Në fund të takimit është përmendur edhe ndeshja e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, me ç’rast është shprehur dëshira që kjo përballje të karakterizohet nga fryma sportive dhe respekti i ndërsjellë.



