
Osmani takohet me komandantin e ri të KFOR-it, ia përmend kërcënimet me dronë nga Serbia
Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Me këtë rast, presidentja Osmani e ka uruar për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it dhe për rikthimin e tij në Kosovë duke shprehur besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Në këtë frymë, ajo ka theksuar mirënjohjen e saj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, presidentja ka potencuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë.