
Osmani takon zyrtarin e lartë amerikan: Aleanca me SHBA-të është themel i sigurisë kombëtare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në New York me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ky takim vjen pas një bisede telefonike të zhvilluar ditë më parë.
Gjatë takimit, Osmani ka theksuar rëndësinë jetike të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si themel të sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës drejt integrimit euroatlantik.
“ Ritheksova rëndësinë jetike të aleancës me SHBA-të, e cila është themel i sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe rrugës sonë drejt integrimit euroatlantik. Mbetem e përkushtuar ta mbroj dhe forcoj këtë miqësi të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim reciprok,” ka deklaruar presidentja Osmani.
Njoftimit në Facebook për këtë takim presidentja Osmani ia ka bashkëngjitur një fotografi nga arkiva.