Osmani tërheq kërkesën për seancën konstituive nga Kushtetuesja, shkak caktimi i Radomir Labanit si gjyqtar raportues

05 gusht 2025 | 16:51

Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e bërë në Gjykatën Kushtetuese për t’i sqaruar pasojat e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës brenda afatit 30-ditor.

Ajo ka thënë në një konferencë për medie se e ka tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik për shkak të një gjyqtari serb, i cili ka thënë se është caktuar “si gjyqtar raportues” në kërkesën e saj.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidentja  Osmani, më 22 korrik i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik, afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Kush është Radomir Laban?

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

Radomir Laban.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eurocenter me seli në Prizren, ofron për shitje Penthouse me…