Osmani viziton familjet e viktimave të masakrës së Reçakut: Dhimbja është shndërruar në qëndresë

16 janar 2026 | 16:45

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar dje në Reçak dy familje të cilat humbën familjarët e tyre në Masakrën e Reçakut.

E para e shtetit ka thënë se historia e këtyre familjeve, është plagë e hapur.

Derisa, presidentja tha se në këto vatra, dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë.

“Dje në Reçak, vizituam dy familje, te të cilat historia është plagë e hapur. Familja Kamberi dhe ajo Ismajli, janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në Masakrën e Reçakut. Në këto vatra, dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë. Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në Masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Ajo tutje u shpreh se e vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli i Kosovës.

“Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjtë që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi. Kosova qëndron mbi këtë sakrificë. E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë”, ka shkruar presidentja Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një emër i njohur është rikthyer në agjendën e Fenerbahçes…