
Osmani: Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale, kyç për drejtësi dhe paqe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka mirëpritur në Prishtinë delegacionin e Bordit këshillues të qeverisë britanike të Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës.
Kjo vizitë është zhvilluar me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, pjesë integrale e së cilës është mbrojtja dhe fuqizimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe konflikteve.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe të mbijetuar nga vende të ndryshme të botës.
Me këtë rast, presidentja Osmani ka theksuar se zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme dhe efektive, në mënyrë që të sigurohet mirëqenie e plotë për të gjithë dhe të ndërmerren hapa konkretë drejt realizimit të drejtësisë.
“Në muajin tetor, përderisa shënojmë 25 vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku pjesë integrale është mbrojtja dhe fuqizimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, presidentja Osmani mirëpriti në Prishtinë delegacionin e Bordit këshillues të qeverisë britanike të Iniciativës për Parandalim të Dhunës Seksuale gjatë luftës. Në këtë delegacion kishte të mbijetuar nga vende të ndryshme të botës. Storiet mbi dhimbjen, gjetjen e forcës për ta tejkaluar atë dhe sukseset e të mbijetuarve të pranishëm, po aq sa na frymëzuan, krijuan diskutime dhe shkëmbim të ideve të reja për bashkëpunim. Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është jetik për dizajnim të politikave të qëndrueshme dhe efektive, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenie të plotë për të gjithë dhe hapa konkret drejt realizimit të drejtësisë”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.