OVL UÇK: Kundërshtojmë çdo nismë për të nderuar figura politike serbe me emra rrugësh në tokën e Kosovës
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kundërshtuar çdo nismë për emërtimin e rrugëve apo vendosjen e simboleve publike që nderojnë figura politike serbe në territorin e Kosovës.
“OVL-UÇK kundërshton çdo nismë për të nderuar figura politike serbe me emra rrugësh apo simbole publike kudo në tokën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Organizata thekson në reagim se plagët e luftës në Kosovë mbeten të hapura, duke përmendur familjet që ende vajtojnë të vrarët dhe vazhdojnë të kërkojnë personat e zhdukur. Sipas OVL-UÇK-së, institucionet nuk kanë të drejtë që dhimbjen e luftës ta trajtojnë përmes gjesteve që i paraqesin si pajtim.
“Asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta këmbejë atë dhimbje me gjeste të maskuara si pajtim. Pajtimi i ngritur mbi heshtjen ndaj krimeve nuk është aspak pajtim. Është dorëzim”,thuhet më tej në reagim.
OVL-UÇK ka vlerësuar se Kosova ka figurat dhe heronjtë e saj, të cilëve, sipas organizatës, u takon nderimi publik dhe institucional. Në reagim thuhet se edhe shqyrtimi i nismave të tilla nga institucionet përbën dështim në qeverisje dhe cenim të kujtesës kolektive të luftës.
“Kur vetë institucionet të cilave u është besuar sovraniteti qoftë edhe nëse shqyrtojnë nisma të tilla, ato dështojnë në qeverisje dhe tradhtojnë të gjallët bashkë me të vdekurit”, përfundon reagimi.



